Rritet në 46.537 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza           / Foto: AA

Të paktën 32 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve që nga tetori i vitit 2023 në 46.537, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavë.

Në një deklaratë, ministria tha po ashtu 109.571 persona janë plagosur në sulmet izraelite në vazhdim.

"Forcat izraelite vranë 32 persona dhe plagosën 193 të tjerë në pesë masakra ndaj familjeve në 48 orët e fundit", tha ministria.

"Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë tek ata", shtoi ajo.

Ministria e Shëndetësisë deklaroi në përditësimin e saj të së shtunës se 499 palestinezë të tjerë, emrat e të cilëve janë dokumentuar dhe verifikuar nga komiteti përkatës i ministrisë, i janë shtuar numrit të përgjithshëm të vdekjeve, duke e çuar totalin në 46.537.

Izraeli ka vazhduar luftën gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit 2023.

Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr reagime ndërkombëtare në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për ta shkatërruar popullsinë palestineze.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë