Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka kritikuar forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR) si "faktor i përshkallëzimit" në përleshjet e fundit në veri të Kosovës.
Nëpërmjet një komunikate në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Zakharova tha se krizat në komunat e Zveçanit, Zubin Potokit dhe Leposaviqit mund të zgjidhen përmes gjetjes së një kompromisi, por siç tha ajo, "doli të jetë shumë e vështirë për misionin e KFOR-it".
"Ata (KFOR-i) jo vetëm që demonstruan mungesën e tyre të profesionalizimit, por gjithashtu i bën burim i dhunës së panevojshme dhe faktor i përshkallëzimit", theksoi ajo.
Zakharova tha se Perëndimi demonstron një "qëndrim selektiv ndaj dispozitave të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga e cila vetëm prania ushtarake në provincë merret seriozisht".
Ajo kërkoi të "kthehen mbrapsht zgjedhjet e rreme komunale të mbajtura më 23 prill dhe të ndalohet provokimi i Serbisë". Sipas saj, Serbia u "detyrua ta vendosë ushtrinë e saj në gatishmëri të plotë luftarake dhe ta dërgojë në vijën administrative me Kosovën".
Zëdhënësja e ministrisë ruse tha se nëse ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE) duan "të gjejnë palën fajtore", ata duhet "të shikohen në pasqyrë".
"Duhen hapa vendimtare për deeskalim, në vend të gjysmëmasave si ideja amerikane për zhvendosjen e përkohshme të kryetarëve të komunave të sapozgjedhur nga ndërtesat komunale dhe rivendosjen e tyre në objekte të tjera", tha ajo.
"Detyrën numër një", Zakharova e quajti themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në formën e saj origjinale, siç parashikohej në marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës nën garancitë e Brukselit 10 vjet më parë.
"Ky është një kusht kyç për dialogun, që është mundësia e vetme për të siguruar stabilitet dhe siguri në rajon", tha ajo.
Tensionet janë përshkallëzuar në Kosovë, me protestuesit dhe forcat e sigurisë që janë përplasur në komunat veriore të vendit për shkak të zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.
Si pasojë e përplasjes, 11 trupa italianë dhe 19 hungarezë të KFOR-it pësuan lëndime të shumta nga mjetet shpërthyese, ndërkohë sipas burimeve spitalore, mbi 50 civilë u plagosën nga shok-bombat dhe gazi lotsjellës.