Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se “nuk mund të bëhet fjalë” për përfshirjen e Rusisë në planifikimin për grushtshtet në Gjermani.
“Ato janë probleme të brendshme të Gjermanisë, edhe ata vetë thanë se nuk mund të bëhet fjalë për përfshirje ruse. Ne e kuptuam këtë nga mediat. Nuk kemi çfarë të themi për ngjarjen”, tha Peskov gjatë një brifingu me gazetarë në Moskë.
Zyra e Prokurorisë Federale Gjermane njoftoi të mërkurën se një grup brenda Lëvizjes ultra të djathtë Reichsbuerger planifikonte grushtshtet.
Një nga të dyshuarit është identifikuar si shtetase ruse Vitalia B., dhe prokurorët akuzojnë se grupi ka kontaktuar diplomatë rusë në Gjermani për të diskutuar pikëpamjen e tyre për rend të ri.
Sipas Zyrës së Prokurorisë Federale, të dyshuarit ishin ithtarë të “një konglemerati teorish konspiracioni”, përfshirë elemente të konspiracionit QAnon nga ShBA dhe Lëvizjen Reichsburger.
Anëtarët e Lëvizjes Reichsburger janë grupe individësh të cilët refuzojnë legjitimitetin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe sistemit të saj ligjor për motive të ndryshme, dhe besojnë se akoma është e okupuar nga fuqitë aleate.
Shumë prej tyre refuzojnë të paguajnë tatime dhe janë shpesh në konflikt me autoritetet. Agjencia e Inteligjencës e Gjermanisë vlerëson se kanë rreth 21.000 ndjekës.