Rusia pretendon se Ukraina vazhdon sulmet ajrore në Kursk. Autoritetet ruse njoftuan se pesë persona u vranë në përleshjet të martën.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina po vazhdonte sulmet ajrore në provincën kufitare të Rusisë, Kursk, një ditë pasi Moska akuzoi Kievin për një sulm tokësor në zonë.
Sipas Moskës, rreth 300 ushtarë, 11 tanke dhe më shumë se 20 automjete të blinduara morën pjesë në pushtimin e Kurskut. Një helikopter luftarak rus Ka-52 thuhet se është rrëzuar gjatë konfliktit.
Rusia ka dërguar trupa shtesë në Kursk për të zmbrapsur sulmin ukrainas. Nuk pati raportime për përleshje të reja tokësore mëngjesin e së mërkurës.
Autoritetet ruse thanë se pesë persona, përfshirë dy ndihmës mjekë, u vranë në përleshjet të martën. 28 persona u plagosën, duke përfshirë gjashtë fëmijë, shtuan ata.
Ukraina nuk ka komentuar mbi pretendimet për inkursion, por ka indikacione për aktivitet ushtarak në anën ukrainase të kufirit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e përshkroi sulmin ukrainas në Kursk si "terrorist" dhe se ai ishte i drejtuar kundër popullatës civile.
Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të rajonit jugperëndimor të Kurskut të Rusisë, Alexei Smirnov, tha se situata ishte "nën kontroll". Ai u bëri thirrje njerëzve të dhurojnë gjak për të rimbushur furnizimet shëndetësore.
Në një postim në rrjetin Telegram, Smirnov tha se në 24 orët e fundit ka pasur më shumë se dhjetë paralajmërime për sulme ajrore në Kursk. Mbrojtja ajrore rrëzoi dy raketa dhe tre avionë mbi rajon, shkroi Smirnov.
E marta thuhet se ka qenë inkursioni më i madh tokësor në territorin rus që nga fillimi i luftës më shumë se dy vjet më parë.