Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha sot se shtetas të nëntë vendeve u plagosën në një sulm të djeshëm ukrainas me dron në rajonin e Tataristanit.
Duke folur në një konferencë shtypi në Moskë, Zakharova tha se sulmi u krye kundër një kolegji dhe një rezidence studentore në Zonën Speciale Ekonomike Alabuga, 210 kilometra nga qendra rajonale, qyteti i Kazanit.
“Si rezultat i sulmit me dron në një kolegj dhe rezidencë studentore në Tataristan, 13 persona u plagosën, mes tyre shtetas të Zimbabvesë, Ruandës, Kongos, Kenisë, Nigerisë, Sudanit Jugor, Sri Lankës, Kirgistanit dhe Rusisë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, administrata e guvernatorit të Tataristanit tha se numri i të plagosurve është rritur në 14 dhe gjashtë prej tyre mbeten në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve.
Të gjithë të lënduarit janë studentë të Qendrës Arsimore Politeknike Alabuga, thuhet në deklaratë.
Disa dronë ukrainas u raportua të kenë goditur objektet në Zonën Speciale Ekonomike Alabuga dhe qytetin Nizhnekamsk në rajonin e Tataristanit të martën.
Duke komentuar incidentin, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Kievi “vazhdon aktivitetin e tij terrorist”, duke shtuar se ushtria “po punon për të minimizuar këtë kërcënim dhe më pas për ta eliminuar plotësisht atë”.
Alabuga është zona speciale ekonomike më e madhe dhe më e suksesshme e llojit industrial dhe prodhues në Rusi dhe ka disa fabrika të mëdha në territorin e saj.