Kremlini ka deklaruar se Rusia synon të zhvillojë më tej partneritetin e saj me Korenë e Veriut, përderisa është planifikuar të takohen në Moskë ministrat e jashtëm të dy vendeve, transmeton Anadolu.
“Koreja e Veriut është fqinji ynë, fqinji ynë më i afërt, partneri ynë me të cilin ne po zhvillojmë më tej partneritetin në të gjitha fushat”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ministri i Punëve të Jashtme i Koresë së Jugut, Choe Song-hui, mbërriti në Moskë dje. Duke komentuar takimin e nesërm midis ministrit rus të Punëve të Jashtme Sergey Lavrov dhe homologut të tij Choe, Peskov tha se Moska pret “negociata të mira, intensive dhe të frytshme”.
Peskov tha se dialogu i Rusisë me Korenë e Veriut do të vazhdojë në të gjitha nivelet, duke shtuar se presidenti Vlladimir Putin ka një ftesë për të vizituar Phenianin në të ardhmen.
“Shpresojmë që një vizitë e tillë të ndodhë, që presidenti rus të vizitojë Korenë e Veriut në një të ardhme të parashikueshme. Koha e një vizite të tillë do të dakordohet më tej përmes kanaleve diplomatike”, shtoi Peskov.
I pyetur për një takim të mundshëm mes presidentit Putin dhe ministrit Choe, Peskov nuk e përjashtoi atë.
Rusia ka zhvilluar lidhjet me Korenë e Veriut që nga fillimi i “operacionit special ushtarak” të saj në Ukrainë gati dy vjet më parë.
Në fillim të këtij muaji, ShBA-ja tha se Rusia në luftën e saj kundër Kievit ka përdorur raketa balistike të furnizuara nga Koreja e Veriut.
Moska dhe Pheniani kanë mohuar marrëveshjet e armëve, por kanë theksuar se do të thellojnë bashkëpunimin. Zyrtarët kanë mbajtur shumë takime të nivelit të lartë që nga viti i kaluar, duke përfshirë një samit të muajit shtator të vitit të kaluar midis presidentit Putin dhe liderit koreano-verior Kim Jong Un.