Zv.ambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyansky, tha se Moska zyrtare thirri një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me një sulm të dyshuar izraelit ndaj misionit diplomatik të Iranit në Damask të Sirisë.
Takimi do të zhvillohet sot dhe do të jetë publik, tha Polyansky në Telegram.
"Pas sulmit ajror izraelit në konsullatën iraniane në Damask, iranianët i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë këtë veprim. Si vazhdim i letrës së iranianëve, ne kemi kërkuar një takim të hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së", tha ai, duke shtuar se presidenca malteze e ka caktuar takimin për sot, 2 prill.
Të paktën 11 persona u vranë në sulmin e djeshëm, duke përfshirë tre sirianë dhe një shtetas libanez.
Midis të vrarëve ishin dy gjeneralë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), njësi elitare e forcave të armatosura iraniane, Gjenerali Mohammad Reza Zahedi dhe zëvendësi i tij, gjeneral Mohammad Hadi Haji Rahimi, së bashku me pesë këshilltarë të tjerë ushtarakë të IRGC-së.
Misioni iranian në OKB e quajti sulmin ajror izraelit në konsullatën iraniane në Damask një "akt frikacak terrorist" dhe një "shkelje të hapur të Kartës së OKB-së" dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të dënojë sulmin dhe të ndërmarrë veprime.