Rusia njoftoi të hënën se Ukraina kishte tentuar të sulmonte një stacion kompresor që furnizon tubacionin e gazit “TurkStream”.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se mbrojtja ajrore rrëzoi nëntë dronë ukrainas që po i afroheshin stacionit kompresor Russkaya në rajonin jugor Krasnodar të Rusisë.
U bë e ditur se nuk kishte viktima mes personelit të stacionit, edhe pse infrastruktura pësoi dëme të vogla “për shkak të mbetjeve të dronëve të rrëzuar”.
“Ekipet emergjente të PJSC Gazprom eliminuan me kohë pasojat e rënies së mbetjeve, dhe pajisjet u rikuperuan,” thuhet në deklaratë.
Ata shtuan se nuk kishte ndërprerje në funksionimin e stacionit, duke pohuar se qëllimi i sulmit ishte ndërprerja e furnizimit me gaz rus për vendet evropiane.
Autoritetet ukrainase ende nuk kanë komentuar mbi pretendimet e Rusisë.
“TurkStream” është një tubacion gazi që shtrihet nga Rusia në Türkiye. Ai nis nga stacioni kompresor Russkaya pranë Anapës në rajonin Krasnodar të Rusisë, duke kaluar nëpër Detin e Zi deri në terminalin e pranimit në Kiyikoy në veriperëndim të Türkiyes.
Ky tubacion përbëhet nga dy degë me një gjatësi prej 930 kilometrash secila, që shtrihen nga Rusia në Türkiye përmes Detit të Zi dhe me degë tokësore prej 142 dhe 70 kilometrash.
Dega e parë, me kapacitet 15.75 miliardë metra kub, është e dedikuar për furnizimin e konsumatorëve vendas në Türkiye, ndërsa përmes degës së dytë, me kapacitet shtesë prej 15.75 miliardë metra kub, gazi rus transportohet në Evropën Juglindore dhe Qendrore.
“TurkStream” u hap zyrtarisht më 8 janar 2020, ndërsa ndërtimi i tij filloi në maj 2017.