Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të hënën se nuk ishte koha e duhur për ta diskutuar vendosjen e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, duke theksuar se asnjë diskutim nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen e Kievit.
Në përfundim të bisedimeve urgjente me liderët evropianë në Paris, Scholz u tha gazetarëve se vendet evropiane do të ruajnë mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe nënvizoi se ukrainasit duhet të jenë pjesë e çdo negociate paqeje.
I pyetur për qëndrimin e Gjermanisë për garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë trupat e mundshme paqeruajtëse, Scholz u përgjigj: "Është krejtësisht e parakohshme dhe koha krejtësisht e gabuar për të pasur këtë diskutim tani".
“Sinqerisht jam mjaft i irrituar nga këto debate,” tha Scholz. “Njerëzit po flasin mbi kokat e ukrainasve për rezultatin e bisedimeve të paqes që as nuk kanë filluar, për të cilat Ukraina nuk ka rënë dakord dhe që nuk ishin as në tavolinë.”
Ai theksoi pasigurinë e perspektivave për bisedimet e paqes dhe rezultatin e tyre të mundshëm.
“Prandaj, ky është një debat i papërshtatshëm në kohën e gabuar dhe për temën e gabuar. Ne nuk jemi ende në paqe, por në mes të një lufte të zhvilluar brutalisht nga Rusia”, tha ai.