Kancelari gjerman Olaf Scholz mbrojti të enjten vendimin e qeverisë së tij për t'i rifilluar eksportet e armëve drejt Izraelit, pavarësisht luftës gjenocidale që po zhvillohet në Rripin e Gazës. Duke folur me gazetarët në Bruksel, teksa mbërriti në një samit të liderëve të BE-së, Scholz tha se do të diskutonin zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe mbështetjen e tyre për Izraelin kundër grupit palestinez Hamas.
“Për mua, është e qartë se mbështetja për Izraelin nënkupton gjithashtu që duhet të sigurojmë aftësinë e Izraelit për t’u mbrojtur në çdo kohë, për shembull duke furnizuar mallra ushtarake ose armë,” tha ai.
Scholz gjithashtu theksoi se, ndërsa lufton Hamasin, Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe të shmangë hapat që mund të çojnë në një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.
Komentet e tij u bënë pasi media lokale raportoi se Gjermania rifilloi eksportet e armëve drejt Izraelit javën e kaluar, pasi mori garanci nga Tel Avivi se armët nuk do të përdoreshin për të kryer gjenocid.
Partia e Gjelbër, që është pjesë e koalicionit qeverisës të Scholzit, thuhet se kishte bllokuar më parë eksportin e armëve të luftës drejt Izraelit, duke pasur frikë se dërgesat mund të përbënin shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Gjermania ka qenë një aleate e fortë e Izraelit dhe zyrtarët në Berlin kanë deklaruar vazhdimisht se vendi mban një përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të së kaluarës naziste. Megjithatë, kritikët thonë se mbështetja e pakushtëzuar e Gjermanisë për qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu po minon seriozisht besueshmërinë e saj jashtë vendit dhe po e izolon gjithnjë e më shumë në skenën ndërkombëtare.
Që kur Izraeli nisi luftën kundër Hamasit në Gaza që nga tetori i kaluar, më shumë se 42.400 palestinezë janë vrarë dhe mbi 99.000 të tjerë janë plagosur, kryesisht gra dhe fëmijë.
Izraeli po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën e rrethuar, ku miliona palestinezë janë zhvendosur, përballen me uri dhe mungesa të theksuara ndihmash mjekësore dhe të tjera thelbësore.