Gjermania dhe Polonia janë zotuar se do të rrisin bashkëpunimin e tyre të sigurisë dhe mbrojtjes për të adresuar kërcënimet në rritje që vijnë nga Rusia.
Në një konferencë të përbashkët për media në Varshavë së bashku me kryeministrin polak, Donald Tusk, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania dhe Polonia janë të vetëdijshme se mund t’i tejkalojnë sfidat e sotme vetëm duke vepruar së bashku dhe se janë të vendosur të marrin më shumë përgjegjësi për të mbrojtur kufijtë e Evropës.
“Siguria e Gjermanisë dhe Polonisë janë të pandashme, domethënë, siguria e Polonisë është gjithashtu siguria e Gjermanisë. Ne qëndrojmë për njëri-tjetrin si fqinjë, si aleatë të NATO-s, si partnerë të BE-së”, tha Scholz.
Kancelari gjerman tha se gjatë konsultimeve ndërqeveritare të ditës së sotme, ata ranë dakord të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, duke bashkuar dhe koordinuar aftësitë e tyre ushtarake dhe duke forcuar iniciativat e përbashkëta evropiane të mbrojtjes.
“Në terma konkretë, kjo do të thotë se së bashku ne po marrim një rol udhëheqës në rajonin e Detit Baltik dhe në mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s”, tha Scholz.
Ai shtoi se Gjermania dhe Polonia, si kombe kryesore evropiane që mbështesin Ukrainën, do të vazhdojnë të ofrojnë armë dhe municione për ushtrinë ukrainase.
“Me sulmin e tij ndaj Ukrainës, Putin ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ka shkatërruar paqen dhe rendin evropian të sigurisë dhe ka rrezikuar sigurinë në të gjithë kontinentin. Së bashku, ne qëndrojmë fort në krah të ukainasve në luftën e tyre të palodhshme kundër luftës imperialiste të Rusisë”, tha ai.
Tusk, nga ana e tij, theksoi se bashkëpunimi më i ngushtë midis dy vendeve për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe iniciativat e përbashkëta evropiane të mbrojtjes, do të forcojnë parandalimin në Evropën Lindore dhe do të sigurojë mbrojtje më të mirë të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).
“Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësinë, së bashku me vendet e tjera anëtare të BE-së, për mbrojtjen e kufirit lindor të BE-së”, tha Tusk.
Ai shtoi se gjatë takimit me kancelarin gjerman, ata diskutuan gjithashtu nismën e Varshavës ‘Mburoja Lindore’, e cila synon të forcojë kufirin e Polonisë me Bjellorusinë dhe Rusinë.
“Nuk kam asnjë dyshim se është gjithashtu në interes të shtetit gjerman që kufiri të mbrohet në mënyrë efektive dhe që Polonia, Gjermania dhe Evropa të jetojnë të sigurta, edhe në rast të agresionit nga lindja. Dhe ne duhet të koordinojmë dhe të ndërmarrim aktivitete të përbashkëta kundër migracionit të paligjshëm, sepse të dy vendet tona janë viktima të këtyre valëve të organizuara të emigracionit të paligjshëm”, tha Tusk.