Sërish bombardime në Kiev, Rusia thotë se Ukraina nuk do bisedime.      Foto: Reuters

Kryetari i Kievit Vitali Klitschko njoftoi sot kryeqendra ukrainase sërish ka qenë cak i sulmeve me raketa nga Rusia. Sipas tij, të paktën dy banesa janë goditur me raketë, ndërsa sistemi i mbrojtjes kundërajrore ka rrëzuar disa raketa ruse.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia vazhdon “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë sepse Kievi nuk dëshiron të zhvillojë bisedime paqeje.

Peskov tha se zyrtarët ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelenskyy, kanë treguar vazhdimisht se “Ukraina ‘de fakto’ dhe ‘de jure’ nuk mund dhe nuk dëshiron të negociojë”.

Ai tha se Moska “kategorikisht” kundërshton rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila kërkon që Rusia t’i paguajë reparacione Ukrainës.

Peskov theksoi se kjo është një përpjekje për të “përfunduar grabitjen e rezervave tona të arit dhe rezervat valutore, të cilat u bllokuan ilegalisht”.

“Ky është legalizim i kësaj grabitjeje duke përdorur platformën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai, duke u zotuar se Rusia do të bëjë “çdo gjë të mundshme” për të parandaluar një “konfiskim” të tillë.

Peskov tha se Rusia tashmë po punon për të rindërtuar infrastrukturën e dëmtuar në territoret ukrainase nën kontrollin e saj.

Megjithatë, ai tha se “nuk ka dyshim” se e njëjta gjë do të bëhet për pjesën tjetër të Ukrainës.

Duke folur për zgjatjen e mundshme të marrëveshjes së eksportit të drithit, ai tha se vendimi “do të shpallet në kohën e duhur”.

Zëdhënësi Peskov nuk komentoi mbi përmbajtjen e bisedimeve në takimin midis zyrtarëve të inteligjencës ruse dhe amerikane në Ankara.

Zëdhënësi i Kremlinit gjithashtu nuk kishte “asgjë për të thënë” në lidhje me propozimin e presidentit ukrainas Zelenskyy për të shkëmbyer të gjithë të burgosurit e luftës, duke shtuar se çështje të tilla trajtohen më së miri nga organet përkatëse.

AA