Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, duke komentuar sulmin e djeshëm në bazën amerikane në Irak, tha se ShBA-ja nuk do të tolerojnë sulmet ndaj ushtarëve të tyre në rajon (Lindjen e Mesme)
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Austin dhe sekretari i shtetit Antony Blinken mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit me homologët e tyre australianë në Annapolis.
Austin tha se ata janë duke monitoruar nga afër zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe janë të ndjeshëm ndaj çështjes së garantimit të sigurisë si të Izraelit ashtu edhe të ushtarëve amerikanë.
Duke kujtuar se disa ushtarë amerikanë u plagosën në sulmin në bazën Ayn Al-Assad në Irak, Austin tha:
“Pa dyshim, ShBA-ja nuk do të tolerojë sulme ndaj ushtarëve tanë që shërbejnë në rajon”.
Austin tha gjithashtu se një milici shiite e mbështetur nga Irani qëndronte pas sulmit në bazën Ayn Al-Assad, por nuk do të emëronte një grup specifik në këtë fazë ndërsa hetimi vazhdon.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i shtetit Blinken vlerësoi procesin e mundshëm të armëpushimit në Rripin e Gazës dhe deklaroi se Yahya Sinwar, kreu i ri i Byrosë Politike të Hamasit, ka një përgjegjësi të madhe mbi supet e tij.
“Z. Sinwar është vendimmarrësi kryesor në arritjen e këtij armëpushimi, kështu që tani i takon atij të vendosë nëse do të vazhdojë me armëpushimin, nga i cili do të përfitonin gratë, fëmijët dhe burrat e dëshpëruar palestinezë”, tha Blinken.