ShBA: Studentët propalestinezë hynë në ndërtesën e Hamilton Hall.     /Foto: AA

Një grup studentësh që ngritën kampe në kampusin e Universitetit Columbia në Nju Jork në mbështetje të Palestinës, hynë në ndërtesën ikonë akademike Hamilton Hall në kampus të hënën në mbrëmje.

Videot tregojnë protestuesit jashtë dhe brenda ndërtesës duke bërtitur parulla propalestineze.

Studentët, të cilët po zhvillojnë demonstrata në shtete dhe universitete të ndryshme në të gjithë ShBA-në në mbështetje të Palestinës, po kërkojnë që universitetet e tyre të ndalojnë mbështetjen e Izraelit.

Universiteti Columbia të hënën u kërkoi studentëve të "shpërndahen vullnetarisht" mes negociatave, duke kërcënuar studentët me pezullim.

Ndërsa studentët mblidhen dhe ngrenë kampe në hapësira të hapura në kampuse, zyrtarët e universitetit dhe të pushtetit vendor përgjigjen me ndalime, pezullime dhe kërcënime për shkarkimin e stafit.

Dhjetëra studentë dhe staf universiteti u arrestuan mes një vale demonstratash në kampuset në të gjithë ShBA-së, e cila filloi javën e kaluar pasi studentët në Universitetin Columbia të Nju Jorkut ngritën kampe duke kërkuar që universiteti të largohej nga prodhuesit e armëve të lidhura me Izraelin.

TRT Balkan / agjencitë