Më 3 korrik, sipas të dhënave nga Qendrat Kombëtare të ShBA-së për Parashikimin e Mjedisit (NCEP), bota shënoi rekord të ri të ditës më të nxehtë ndonjëherë.
NCEP-i njoftoi se temperatura mesatare globale më 3 korrik arriti në 17,01 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 16,9 gradë Celsius të regjistruar në muajin gusht të vitit 2016.
Ndryshimet klimatike këtë verë po nxisin valë ekstreme të të nxehtit në mbarë botën, duke shkaktuar paralajmërime për motin dhe duke marrë jetë të shumta.
Nga Amerika e Veriut në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, vendet po përballen me temperatura përvëluese. Në ShBA u lëshuan alarme në mbarë vendin pasi nxehtësia e madhe dhe lagështia shtypëse mbuluan rajone të ndryshme.
Në jug, Meksika është prekur gjithashtu rëndë, me temperatura që kalojnë 40 gradë Celsius, ku si pasojë të paktën 110 persona kanë humbur jetën për shkak të temperaturave të larta.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu është kapluar nga vapa në qershorin e saj më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave në vitin 1884. Temperatura mesatare ishte 15,8 gradë Celsius, pothuajse një gradë më e lartë se nivelet e mëparshme të këtij muaji.
Irani, i njohur për vera të nxehta, regjistroi temperatura që arritën në 50 gradë Celsius në disa zona.
Merkuri në Spanjë u rrit në 44 gradë Celsius dhe vendi u përball me kushte alarmante gjatë gjithë qershorit, me tetë nga 17 administratat autonome të vendit që lëshuan alarme.
Pakistani dhe India, nga ana tjetër, vuajtën pasojat shkatërruese të të nxehtit. Incidentet e lidhura me motin e nxehtë u morën jetën të paktën 22 personave në Pakistan, ndërsa në Indi jetën e humbën mbi 150 persona.
Po ashtu edhe Kina regjistroi ditët e saj më të nxehta në gjashtë dekada, me temperatura që arritën deri në 40 gradë Celsius.