Ukraina tha të martën se ministri i jashtëm i saj do të bojkotojë takimin e OSBE-së në Maqedoninë e Veriut këtë javë për shkak të vendimit për të lejuar Ministrin e Jashtëm rus Sergei Llavrov që të marrë pjesë.
“Delegacioni ukrainas nuk do të marrë pjesë në takimin ministror të OSBE-së në nivelin e ministrit të punëve të jashtme”, shkroi në një deklaratë në Facebook Oleh Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.
Pas disa ditësh paqartësi rreth pjesëmarrjes së mundshme të kryediplomatit rus Sergei Llavrov, Bullgaria tha mbrëmë se do të lejojë kalimin e delegacionit rus nëpër hapësirën e saj ajrore, për të marrë pjesë në takimin e OSBE-së në Shkup.
Maqedonia e Veriut udhëheq OSBE-në nga 1 janari i vitit 2023. Malta është vendi i radhës që do ta marrë udhëheqësinë e OSBE-së në vitin 2024.
Bojkotojnë edhe vendet Baltike
Edhe ministrat e jashtëm të Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë thanë të martën se do të bojkotojnë takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup për shkak të vendimit për të lejuar pjesëmarrjen e ministrit të jashtëm rus.
Pjesëmarrja e planifikuar nga Sergei Llavrov do t'i japë Moskës një mundësi propagande dhe "rrezikon legjitimimin e Rusisë agresore si një anëtar i ligjshëm i komunitetit tonë të kombeve të lira", thanë ata.