Lufta në Ukrainë na ka treguar se sa të brishtë janë me të vërtetë zinxhirët e furnizimit global.
Shpërndarja e grurit, e cila është thelbësore për sigurinë ushqimore të komuniteteve në shumë pjesë të botës, u ndikua veçanërisht dhe ka pasur një ndikim në vende të tjera, duke rritur çmimet dhe duke përkeqësuar krizat e mëparshme nëpërmjet mungesës së ushqimit.
Shtojini kësaj edhe ndikimet përkeqësuese të ndryshimeve klimatike, çështjet e sigurisë së ujit dhe ushqimit janë bërë një shqetësim i menjëhershëm në një numër në rritje vendesh anembanë botës.
Afrika e Jugut dhe dy vende të Amerikës Latine më të goditura
Të dhënat nga Anketa Globale e Konsumatorëve Statista tregojnë se më shumë se gjysma e të anketuarve (54 për qind) në Afrikën e Jugut e konsideruan furnizimin me ushqim dhe ujë si një nga sfidat më të mëdha për vendin e tyre, të ndjekur nga rreth 40 për qind në Meksikë dhe 33 për qind në Brazil.
Vendet Evropiane e vuajnë më pak
Siguria e ushqimit dhe ujit është gjithashtu një shqetësim në Evropë.
Më së shumti në Evropë mungesën e ushqimit dhe e ujit e vuajnë pikërisht shkaktarët më të mëdhenj të kësaj krize, Rusia e cila thuajse 9 muaj me radhë i ka shpallur luftë vendit që prodhon më së shumti drithëra në botë, Ukrainës.
Si pasojë, sot Rusia renditet e para në Evropë për mungesë të produkteve bazë sipas Anketës Globale të Konsumatorëve “Statista”, me 28 për qind të popullsisë.
Pastaj vjen Spanja me 22 për qind, Franca me 20 për qind, Gjermania me 17 për qind dhe Zvicra me 13 për qind.
Në listë edhe ShBA-ja me Mbretërinë e Bashkuar
Gjithashtu në listën e anketës në fjalë nuk mungojnë as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, banorët e së cilës e vuajnë mungesën e ushqimit dhe ujit 27 për qind, ndërsa Mbretëria e Bashkuar me rreth një në pesë njerëz që e përmendin ushqimin dhe ujin si një shqetësim serioz, gjegjësisht 22 për qind.
Ashtu si shumë vende të tjera, verën e kaluar, ShBA-ja dhe MB-ja përjetuan thatësira të përhapura, që ndikuan edhe në krizën e produkteve bazë.
Konferenca Botërore e Kombeve të Bashkuara për Klimën
Konferenca Botërore e Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP27) është duke u zhvilluar aktualisht në Sharm El-Sheikh të Egjiptit dhe do të zhvillohet nga 6 deri më 18 nëntor. Më shumë se 100 liderë botërorë dhe mijëra pjesëmarrës janë mbledhur për të diskutuar mënyrat për t'iu përgjigjur urgjencës klimatike, duke mbuluar çështjet e reparacioneve klimatike deri te siguria ushqimore.