Shumica e kanadezëve nuk e njohin Mbretin Charles III si kreun e shtetit / Foto: AA

Sipas një sondazhi të fundit, shumica e kanadezëve nuk e mbështesin Mbretin Charles III si kreun e shtetit dhe nuk janë në favor të Camillas si mbretëreshë.

Kanadaja është anëtare e Komonuelthit të Kombeve dhe si e tillë mbreti ose mbretëresha e Britanisë automatikisht është kreu i shtetit për Kanadanë, megjithëse pozicioni është titullar.

Mbreti Charles III do të marrë atë post pas kurorëzimit më 6 maj, duke zëvendësuar nënën e tij të ndjerë Mbretëreshën Elizabeth II.

Sipas një sondazhi të kryer nga Instituti Angus Reid, 60 për qind e të anketuarve nuk duan të njohin Charlesin si Mbretin e Kanadasë dhe vetëm 28 për qind e shohin atë në një dritë pozitive. Mbështetja për Mbretëreshën Camilla ishte edhe më e zbehtë.

Të anketuarit në sondazh treguan se Camilla nuk është e njohur. Dy të tretat menduan se ajo nuk duhet të njihej si Mbretëresha e Kanadasë. Vetëm 21 për qind e mbështetën atë të ketë titullin. Në fakt, shumica thanë se nuk u intereson fare kurorëzimi.

Monarku britanik në pushtet ka qenë kreu i shtetit të Kanadasë që kur Kanadaja u bë zyrtarisht një komb i pavarur nga Anglia në vitin 1867. Me kalimin e viteve, mbështetja për monarkinë ka rënë gradualisht. Sondazhi i ri tregoi se 52 për qind nuk duan të vazhdojnë me monarkinë kushtetuese.

Sondazhi është kryer online nga 10-12 prill me 2.013 kanadezë që janë anëtarë të Forumit Angus Reid. Ai mbart një kufi gabimi prej 1 deri në 2 për qind, 19 herë nga 20.

AA