Ndalesa për praktikimin e faljes së namazit në një nga shkollat shtetërore me rezultate të larta në Angli, e shquar për disiplinën e saj të rreptë, është mbështetur nga një gjykatës i gjykatës së lartë të martën.
Çështja kundër shkollës së Komunitetit Michaela në veri-perëndim të Londrës u ngrit nga një nxënëse myslimane, e cila pretendoi se ndalesa ishte diskriminuese dhe shkelte të drejtën e saj për liri fetare.
Ndalesa u vu në zbatim në mars 2023, pasi deri në 30 nxënës filluan të faleshin në oborrin e shkollës për shkak të mungesës së zonës për lutje brenda ndërtesës së shkollës. Pothuajse gjysma e shkollës, për rreth 700 nxënës, janë myslimanë, u tha në gjykatë.
Avokatët e shkollës pohuan se nxënësit që shiheshin duke u falur jashtë kontribuan në një "fushatë të përbashkët" në mediat sociale mbi qasjen e shkollës ndaj fesë. Në një vendim me shkrim prej 83 faqesh, gjykata tha:
"Paditësja, të paktën në mënyrë të nënkuptuar, pranoi që kur ajo u regjistrua në shkollë do t'u nënshtrohej kufizimeve në çështjen e manifestimit të fesë.”
Pas vendimit, nxënësja tha në një deklaratë se ishte "e zhgënjyer".
"Ashtu siç është përcaktuar në aktgjykim, nuk pajtohem që do të ishte shumë e vështirë për shkollën të akomodonte nxënësit, të cilët dëshirojnë të faleshin gjatë pushimit të drekës," tha ajo. "Edhe pse humba, e ndiej se bëra gjënë e duhur në përpjekjen për të sfiduar ndalesën. U përpoqa më të mirën time, ashtu si edhe isha e sinqertë me veten dhe bindjet e mia ferare.”
Nxënësja tha se kishte në plan të qëndronte në shkollë dhe të fokusohej në provimet e shkollës së mesme. "Unë jam mirënjohëse për mirëkuptimin që kanë treguar miqtë e mi jomyslimanë në shkollë për çështjet që kanë të bëjnë me ne," shtoi ajo.