Sekretari i ri i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Feridun Sinirlioğlu, i ofroi Rusisë dhe Ukrainës mbështetjen e organizatës nëse vendet ndërluftuese fillojnë një proces paqeje.
“OSBE-ja është një organizatë e sigurisë gjithëpërfshirëse që e vendos diplomacinë mbi çdo gjë tjetër, dhe për këtë arsye, unë shpresoj se nëse të dy palët fillojnë një proces, ato mund të përfitojnë nga mundësitë dhe mjetet e OSBE-së”, tha ish-ambasadori turk Sinirlioğlu në një konferencë për media në fund të takimit të 31-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në Maltë, ku ai u zgjodh në rolin e tij të ri.
Sinirlioğlu u shpreh se "është i vendosur të sigurohet që OSBE-ja të mbetet e shkathët dhe e gatshme për t'iu përgjigjur situatës së sigurisë dhe nevojave të shteteve pjesëmarrëse".
Zv/kryeministri dhe ministri i jashtëm i Maltës, Ian Borg, i cili shërben gjithashtu si Kryesues i OSBE-së, përshëndeti përpjekjet e organizatës gjatë vitit të kaluar "gjatë një prej periudhave më sfiduese në historinë e saj".
“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës jo vetëm që ka shkatërruar miliona jetë; gjithashtu ka vënë në pikëpyetje vetë themelet e arkitekturës së sigurisë evropiane. Kjo është arsyeja pse ne morëm një vendim të qëllimshëm për ta vendosur Ukrainën në qendër të punës sonë”, vuri në dukje ai.
Borg, në këtë kontekst, tha se "është mirë që Rusia e kupton se kjo organizatë është vendimtare".
“Është thelbësore për t'i kujtuar vetes se shkelin vetë Aktin Final të Helsinkit që e nënshkruan 49 vjet më parë”, theksoi ai.
Zgjedhja e Sinirlioğlut mori miratimin e 57 vendeve anëtare të OSBE-së nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Azia.
Ai do të shërbejë për një mandat tre-vjeçar si Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së. Gjatë mandatit të tij, shumë çështje thelbësore në lidhje me paqen dhe stabilitetin global do të jenë në agjendë, veçanërisht ruajtja e themeleve të arkitekturës së sigurisë në Evropë.
OSBE-ja, e themeluar në vitin 1975 gjatë Luftës së Ftohtë, kishte për qëllim lehtësimin e dialogut për t'i ulur tensionet midis blloqeve lindore dhe perëndimore.