Sllovenia mbështet 'urdhërrarrestin' e GjNP-së për zyrtarët izraelitë / Foto: AA

Ministria e Jashtme sllovene mbështeti "urdhrin e arrestit" të lëshuar nga Prokurori Publik i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) Karim Khan kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant.

“Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në territorin e Izraelit dhe të Palestinës nga të paktën 7 tetori 2023 duhet të ndiqen penalisht në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, pavarësisht nga autorët”, tha Ministria e Jashtme e Sllovenisë të hënën në X.

"Përgjegjësia është thelbësore për të parandaluar mizoritë dhe për të garantuar paqen," tha ministria.

Ministria nënvizoi se Sllovenia mbështet fuqishëm GjNP-në dhe mirëpret këtë përparim në hetimin e situatës së fundit në Palestinë.

Khan aplikoi për urdhërarrest kundër Netanyahut, Gallantit dhe udhëheqësve të Hamasit, duke përfshirë shefin politik Ismail Haniyeh, udhëheqësin e Gazës, Yahya Sinwar dhe shefin ushtarak Mohammed Deif.

Khan tha se ai ka arsye për të besuar se Netanyahu dhe Gallant mbajnë përgjegjësi penale për "krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit" të kryera në territoret palestineze, veçanërisht në Rripin e Gazës, të paktën nga 8 tetori i vitit të kaluar.

Ai shtoi se urdhërarrestet për tre liderët e Hamasit janë për "krime lufte dhe krime kundër njerëzimit" të kryera në Izrael dhe Rripin e Gazës "nga të paktën 7 tetori 2023".

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në enklavë.

Më shumë se 35.500 palestinezë janë vrarë që atëherë, shumica dërrmuese e të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, dhe mbi 79.600 të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar pas një sulmi nga Hamasi.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, një pjesë e madhe e Gazës qëndronte në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka urdhëruar atë të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

AA