Spanjë: Thirrje për embargo armësh ndaj Izraelit. / Photo: AA

Një grup ekspertësh ligjorë në Spanjë i bëri thirrje qeverisë të vendosë embargo armësh ndaj Izraelit për shkak të luftës së tij në Rripin e Gazës.

"Juristët për Palestinën", një organizatë joqeveritare e përbërë nga gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë spanjollë, paraqiti një peticion me më shumë se 1.200 nënshkrime në parlament, duke kërkuar sanksione ndaj Izraelit në të cilat përfshihet edhe embargoja e armëve.

Duke folur jashtë parlamentit, Pilar Barrado, gjyqtare dhe zëdhënëse e OJQ-së tha se gjenocidi i Izraelit në Gaza dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar kanë arritur një nivel të patolerueshëm.

"Të drejtat e njeriut janë universale. Nuk mund të ketë një botë zotërish dhe skllevërish që lejohen të masakrohen", tha Barrado.

Ajo vuri në dukje se, sipas nenit 93 të Kushtetutës spanjolle, qeveria dhe parlamenti janë përgjegjës për garantimin e pajtueshmërisë me traktatet ndërkombëtare dhe rezolutat e tyre.

"Kërkojmë që qeveria dhe të gjitha grupet parlamentare të respektojnë këto rezoluta. Është thelbësore të miratohen masa siç janë urdhërarrestet (e Gjykatës Ndërkombëtare Penale) kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes Yoav Gallant", tha Barrado duke shtuar:

"Ne gjithashtu kërkojmë që parlamenti spanjoll të miratojë rezoluta me të cilat zbatohen rezolutat e OKB-së, ofrohen garanci për refugjatët palestinezë, ndërpriten marrëdhëniet diplomatike, tregtare dhe ushtarake me Izraelin dhe garantohet mbikëqyrje e OKB-së për t'i rivendosur kushtet e jetesës në Gaza".

Përfaqësuesit e aleancës "Sumar", partneri i vogël i qeverisë së koalicionit të pakicës së majtë në Spanjë, si dhe partia Podemos dhe E Majta Republikane e Katalonjës (ERC), gjithashtu mbështetën nismën.

Përpos kësaj, gazeta "El Diario" raportoi se Spanja lejoi një anije amerikane që transportonte armë në Izrael të ndalonte në portin e Rotës. Megjithatë, raporti u mohua nga zëdhënësja e qeverisë, Pilar Alegria.

Izraeli ka vazhduar luftën gjenocidale në Rripin e Gazës duke vrarë më shumë se 45 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë që nga 7 tetori 2023.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi ​​urdhërarreste për Netanyahun dhe Gallantin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për veprimet e tij në Gaza.

TRT Balkan / agjencitë