Sesioni i ri parlamentar i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Shqipërisë ka filluar sot punimet, ndërkohë në seancën e hapjes mbajti një fjalë përshëndetëse kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Spiropali theksoi se rritja e përgjegjshmërisë, produktivitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit përpara qytetarëve do të jenë prioritet i Kuvendit edhe gjatë këtij sesioni.
Spiropali u ka bërë thirrje deputetëve që t’i mbrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet tyre, por sipas saj me etikë parlamentare, duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët.
"Kuvendi do të vijojë të mbështesë partneritetet strategjike të Shqipërisë me aleatët tanë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet dhe organizatat aleate.
Do të vijojmë bashkëpunimin me parlamentet e vendeve mike e partnere dhe organizatat ndërkombëtare, për zbatimin e projekteve në proces e identifikimin e ideve dhe projekteve të reja të bashkëpunimit, për rritjen e produktivitetit, efektivitetit dhe eficencës së veprimtarisë së Kuvendit dhe të shërbimeve parlamentare", tha ajo.
Spiropali u shpreh ndër të tjerash se mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar, sidomos nga opozita, do të jenë një prioritet i Kuvendit.
"Rritjes së cilësisë së ligjbërjes do t’i shërbejë përfundimi dhe fillimi i zbatimit të manualit për procesin ligjvënës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, vijimi i zbatimin të sistemit e-Legislation, mbështetur nga OSBE-ja, inkorporimi në këtë proces i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030, çështjeve dhe aspekteve gjinore dhe auditit gjinor", tha Spiropali.
Kuvendi i Shqipërisë i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon gjatë janarit, ndërsa sesioni i dytë në shtator.
Gjatë seancës një grup qytetarësh protestuan përpara selisë së sallës së seancave plenare duke kërkuar akses në autostradën Thumanë-Kashar. Prej disa javësh dhjetëra banorë protestojnë duke kërkuar hyrje dhe dalje në këtë segment rrugor, pasi sipas tyre janë bllokuar bizneset dhe pronat e tyre.