Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se municionet që aleatët sigurojnë për Ukrainën nuk janë të mjaftueshme dhe bëri thirrje që të bëjnë më shumë.
Stoltenberg në konferencën për media në selinë e NATO-s foli lidhur me raportin e aktivitetit të Aleancës për vitin 2023. "Ukrainës i janë pakësuar municionet, por jo guximi", deklaroi Stoltenberg duke shtuar se "Aleatët e NATO-s nuk sigurojnë municione të mjaftueshme ndaj Ukrainës. Pasojat e kësaj në fushën e betejës pasqyrohen çdo ditë".
"Për këtë arsye është nevojë urgjente që aleatët të marrin vendimet e nevojshme për të kaluar në veprim dhe për të siguruar më shumë municione për Ukrainën. Ky është mesazhi im për të gjitha kryeqytetet", shtoi Stoltenberg.
Ai tha se ShBA-ja, Kanadaja dhe Evropa duhet të bëjnë më shumë. "Kemi ekonominë e cila mund të sigurojë atë që ka nevojë Ukraina. Marrja e këtyre vendimeve dhe çështja që t'i jepet përparësi mbështetjes së Ukrainës është çështje e vullnetit politik. Për këtë arsye kemi nevojë për vendime, që të bëhen më shumë investime në industrinë e mbrojtjes", theksoi Stoltenberg.
Bashkëpunim i ngushtë me aleatët e NATO-s në Detin e Zi
Një nga fitoret më të mëdha të Ukrainës është zmbrapsja e Rusisë në Detin e Zi, potencoi Stoltenberg i cili tha se kjo është siguruar duke punuar ngushtë me Türkiyen, Rumaninë dhe Bullgarinë.
Ai nënvizoi se ky sukses krahas aftësive të ushtrisë ukrainase është edhe falë armëve të zhvilluara që aleatët e NATO-s kanë siguruar.
Zgjedhjet në Rusi
Pas një pyetjeje lidhur me zgjedhjet që do mbahen më 15-17 mars në Rusi, Stoltenberg tha se zgjedhjet e lira dhe të drejta do të jenë të mundura vetëm në një mjedis të konkurrencës dhe pranisë së shtypit të pavarur.
"Zgjedhjet në Rusi nuk do të jenë të lira dhe të drejta", tha kreu i NATO-s.