Ministrat e jashtëm të NATO-s do të takohen sot dhe nesër në Bruksel për të shënuar 75-vjetorin e aleancës ushtarake dhe për t'u përgatitur për samitin në Uashington në korrik të këtij viti.
Përpara takimit të rëndësishëm, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi se aleanca duhet të qëndrojë e vendosur në mbështetjen e saj për Ukrainën, por edhe të ndryshojë dinamikën e mbështetjes sepse “Ukraina ka nevoja urgjente”.
“NATO-ja është themeluar mbi një premtim solemn: një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve. Nga ai themel, ne ndërtuam aleancën më të fuqishme dhe më të suksesshme në histori. Dhe, gjatë 75 viteve të fundit, dyert e hapura të NATO-s kanë ndihmuar në përhapjen e demokracisë dhe prosperitetit në gjithë Evropën”, tha Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm më pas iu referua luftës në Ukrainë, e cila vazhdon për më shumë se dy vjet.
“Në ditët e fundit, Kremlini ka nisur sulme të reja të mëdha, duke synuar civilët dhe infrastrukturën ukrainase. Rusia vazhdon të bëjë presion përgjatë vijës së frontit. Kjo është arsyeja pse ne duhet të qëndrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Ukrainën.
Dhe unë mirëpres faktin që aleatët vazhdojnë të bëjnë dërgesa të mëdha të armëve, municioneve dhe pajisjeve”, tha Stoltenberg dhe shtoi:
“Por, Ukraina ka nevoja urgjente. Çdo vonesë në ofrimin e mbështetjes ka pasoja në fushën e betejës ndërsa flasim. Prandaj, ne duhet të ndryshojmë dinamikën e mbështetjes sonë. Ne duhet të sigurojmë ndihmë të besueshme dhe të parashikueshme të sigurisë për Ukrainën në afat të gjatë."
Ai deklaroi se ministrat duhet të diskutojnë se si NATO-ja mund të marrë përgjegjësi më të madhe për koordinimin e pajisjeve ushtarake dhe trajnimit për Ukrainën.
"Ne do të diskutojmë gjithashtu një angazhim financiar shumëvjeçar për të mbajtur mbështetjen tonë. Ky takim ministror do të krijojë bazën për konsensus mbi këto çështje ndërsa përgatitemi për samitin në Uashington. Aleatët e NATO-s ofrojnë 99 për qind të mbështetjes totale ushtarake për Ukrainën. Pra, nëse punojmë më shumë nën NATO, përpjekjet tona do të ishin më efikase dhe efektive. Moska duhet të kuptojë se ata nuk mund t'i arrijnë qëllimet e tyre në fushën e betejës dhe nuk mund të presin për ne”, tha njeriu i parë i NATO-s.
Stoltenberg theksoi gjithashtu se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s:
"Është një çështje se kur, jo a do bëhet."
Stoltenberg theksoi gjithashtu faktin se këtë vit një numër rekord i aleatëve do të përmbushë objektivin e NATO-s për të ndarë dy për qind të PBB-së për aleancën dhe se ai pret përparim të mëtejshëm.