Studim: Njerëzit ndihen më të lumtur në ditë të caktuara të javës                               Foto: AA

Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar zbuluan se njerëzit kanë më shumë emocione pozitive në mëngjes, këto emocione zvogëlohen gjatë ditës dhe se ndihen më të lumtur në fundjavë sesa gjatë javës.

Studiuesit nga University College i Londrës analizuan rreth 1 milion të dhëna nga gati 50.000 njerëz që morën pjesë në anketë gjatë dy viteve.

Studimi shqyrtoi se si periudhat e ndryshme kohore gjatë ditës kanë efekt mbi faktorë të tillë si simptomat e depresionit dhe ankthit, lumturia, kënaqësia nga jeta, kuptimplotësia e jetës dhe vetmia.

Sipas studimit, gjendja shpirtërore ndikohet nga hormonet si dopamina, serotonina dhe kortizoli dhe proceset fiziologjike si simptomat që vijnë nga inflamacioni në trup, u zbulua se ndjenjat pozitive si lumturia dhe kënaqësia nga jeta ishin më të larta të hënën dhe të premten sesa të dielën.

Studimi vuri re se simptomat e depresionit dhe ankthit ishin më të larta në orët e mëngjesit të martën dhe të mërkurën në krahasim me të dielën, si dhe se këto simptoma uleshin gjatë ditës dhe rriteshin drejt natës.

Rezultatet e studimit zbuluan se njerëzit kanë gjithmonë më shumë emocione pozitive në orët e para të ditës, dhe kjo situatë ndryshon nga fundi i ditës.

Studimi tregoi se ndjenja e vetmisë nuk ndryshonte në ditë të ndryshme të javës.

Më tej studimi zbuloi se ndjenjat negative ishin më pak në tre stinët e tjera krahasuar me dimrin, ndërsa ndjenjat pozitive ishin më të larta.

Duke zbuluar se njerëzit në përgjithësi janë më pozitivë në muajt e verës, studimi tërhoqi vëmendjen se ndryshimet emocionale gjatë ditës nuk ndryshonin sezonalisht.

Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën "BMJ Mental Health".

TRT Balkan / agjencitë