Sulmet në Odesë nuk ndikojnë në eksportin e grurit     Foto: Reuters

“Sulmi i fundit rus ndaj portit ukrainas të Odesës “në asnjë mënyrë” nuk duhet të ndikojë në fillimin e dërgesës së grurit”, kështu u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë për media në Moskë.

Sipas tij nuk është prekur infrastruktura e nevojshme për eksportin e grurit.
Rusia dje njoftoi se me raketa me precizitet të lartë dhe me rreze të gjatë veprimi shkatërroi një anije luftarake ukrainase dhe raketa kundër anijeve "Harpoon" të furnizuara nga SHBA-ja në portin në Odesa.

Peskov tha se OKB-ja duhet të kryejë pjesën e saj të punës në lidhje me heqjen e "kufizimeve indirekte" mbi eksportet ruse të grurit bazuar në marrëveshjen e arritur në Istanbul.

"Nuk ka kufizime të drejtpërdrejta, por ka të tërthorta që nuk lejojnë dërgesat e plota që janë aq të nevojshme për tregjet ndërkombëtare, veçanërisht për ato rajone të botës ku uria fillon të jetë veçanërisht e prekshme. Është shumë e rëndësishme", tha ai.

Peskov tha se është e nevojshme të pritet fillimi i mekanizmit për eksportin e grurit ukrainas përpara se të vlerësohet efektiviteti i tij.

Autoriteti i Porteve Detare të Ukrainës njoftoi dje se filloi vendosjen e kolonave në portet Odesa, Chornomorsk dhe Yuzhne për të eksportuar drithërat jashtë vendit.

Me ndërmjetësimin e Türkiye-s (Turqisë) dhe OKB-së, Ukraina dhe Rusia nënshkruan të premten një marrëveshje në Istanbul për rifillimin e dërgesave të grurit të Ukrainës nga portet e Detit të Zi.

Sipas marrëveshjes, një qendër koordinimi është krijuar për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrjet dhe daljet e porteve, duke garantuar sigurinë e rrugëve.

E vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj ndërmjetësues, Türkiye u koordinua me Moskën dhe Kievin për të hapur një korridor nga qyteti port ukrainas i Odesës për të rifilluar dërgesat globale të drithit të ndaluara prej kohësh për shkak të luftës Rusi-Ukrainë që filloi më 24 shkurt.

AA