Alarmi i nivelit të pestë është më i larti në shkallën e paralajmërimit të fatkeqësive në Japoni, sipas NHK-së.     Foto: Reuters

Japonia ka paralajmëruar më shumë se 8 milionë banorë në pjesët jugore dhe perëndimore të vendit që të evakuohen për shkak të tajfunit të fuqishëm Nanmadol, njoftoi transmetuesi publik NHK të dielën.
NHK raportoi se rreth 3.7 milionë familje janë prekur nga alarmi i nivelit të katërt të lëshuar nga institucionet kompetente për evakuimin e pjesëve të rajoneve Kyushu, Shikoku dhe Chugoku.
Të shtunën, Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim të nivelit të pestë kundër tajfunit, i cili pritet të godasë rajonin Kyushu në jug të vendit.
Alarmi i nivelit të pestë është më i larti në shkallën e paralajmërimit të fatkeqësive në Japoni, sipas NHK-së.
"Tajfuni shumë i fuqishëm mund të shkaktojë një lloj të fatkeqësisë që mund të shihet vetëm një herë në disa dekada", raportoi transmetuesi, duke cituar zyrtarët e motit.
Zyrtarët deklaruan se "erërat maksimale deri në 180 kilometra në orë do të godasin pjesën veriore dhe jugore të Kyushu si dhe ishujt Amami me fuqi maksimale që arrijnë deri në 252 kilometra në orë të dielën".
Fluturimet janë ndërprerë në të gjitha aeroportet e vendit.
“Që nga ora 06:00 e mëngjesit të së dielës, Japan Airlines dhe All Nippon Airways kanë vendosur të anulojnë mbi 500 fluturime gjatë ditës. Kompanitë e tjera ajrore gjithashtu kanë anuluar shërbimet e tyre”, thuhet në raport.
Po ashtu edhe Hekurudhat e Japonisë thanë se edhe shërbimet e trenave të shpejtë priten të preken edhe të hënën.

AA