Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, duke cituar Zyrën e Vakëfit Islamik të Jerusalemit/Kudsit, shumë myslimanë nxituan të falen në Al-Aksa në ditën e parë të Ramazanit. Ata gjithashtu kujtojnë se forcat izraelite kanë penguar myslimanët të hyjnë në xhaminë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar/Al-Kuds për pesë muaj rresht. Gjithashtu raportohet se forcat izraelite nuk i kanë lejuar të rinjtë të afrohen pranë xhamisë në ditën e parë të Ramazanit.
Ushtria izraelite rrahu ashpër dhe arrestoi një të ri palestinez që donte të hynte në Al-Aksa.
Sipas agjencisë WAFA, megjithë kufizimet e vendosura nga Izraeli për të parandaluar hyrjen e muslimanëve në objektin e adhurimit, të paktën 35.000 besimtarë e kryen namazin e taravisë, një namaz i përbashkët i natës në muajin e agjërimit, në Al-Aksa.
Policia izraelite ka vendosur tela me gjemba në muret që rrethojnë njërën nga portat që të çojnë në kompleksin Al-Aksa. Tela me gjemba janë vendosur në muret rreth portës së Esbatit, për herë të parë që nga viti 1967.
Zyra e Guvernatorit të Jerusalemit/Kudsit njoftoi se 275 kolonë hebrenj sulmuan Xhaminë Al-Aksa nën mbrojtje të fortë nga forcat izraelite në ditën e parë të muajit të Ramazanit.
Imami dhe Khatibi i Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, Ekrima Sabri, tha se myslimanët duhet të lejohen të falen në paqe gjatë Ramazanit.
Faltorja e tretë më e rëndësishme
Për myslimanët, Al-Aksa është faltorja e tretë më e rëndësishme, kurse hebrenjtë pretendojnë se atje ka pasur dy tempuj hebrenj.
Kompleksi Al-Aksa, i cili mbulon 15 për qind të sipërfaqes së bërthamës së vjetër të Kudsit/Jerusalemit, është nën pushtimin izraelit dhe përfaqëson pikën e takimit të tre feve më të mëdha në botë.
Izraeli pushtoi Kudsin/Jerusalemin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 dhe ky veprim nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.