Tensionet me Rusinë: Gjermania synon blerjen e 4 nëndetëse të avancuara        / Foto: AA

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, synon blerjen e katër nëndetëseve të avancuara, pavarësisht kufizimeve aktuale buxhetore.

Propozimi, i dorëzuar së fundmi në komisionin e buxhetit të parlamentit për miratim, përfaqëson një zgjerim të konsiderueshëm të aftësive detare të Gjermanisë, njoftoi revista e lajmeve Der Spiegel.

Ministria e Mbrojtjes raportohet se së fundmi u ka thënë anëtarëve të komitetit se blerja e nëndetëseve të reja të klasit 212CD ishte thelbësore për përmbushjen e kërkesave të NATO-s për mbrojtjen e krahut verior të aleancës.

Planet e reja të mbrojtjes të NATO-s mandatojnë Gjermaninë të mbajë të paktën pesë nëndetëse operacionale nga viti 2031 e tutje dhe Ministria e Mbrojtjes synon të porositë këto nëndetëse përpara zgjedhjeve të shkurtit, raportoi revista.

Pas rënies së koalicionit qeverisës të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz këtë muaj dhe humbjes së shumicës parlamentare, Partia Social Demokratike (SPD) e udhëhequr nga ai ka nevojë për mbështetje nga partia kryesore opozitare e Kristian-Demokratëve (CDU/CSU) për miratim në komisionin e buxhetit.

Marina gjermane ka porositur tashmë dy nëndetëse identike nga Thyssenkrupp Marine Systems, një prodhues gjerman i anijeve detare. Për katër nëndetëset shtesë të klasit 212CD do të nevojiten 4,7 miliardë euro financim, sipas burimeve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Që nga shpërthimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në shkurt 2022, Gjermania ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe përpjekjet për modernizimin ushtarak. Në një ndryshim historik të njohur si "Zeitenwende" (Pikëkthesa), kancelari Scholz njoftoi në shkurt 2022 një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për investime ushtarake.

Ky fond është përdorur për të blerë avionë luftarakë F-35, tanke të reja dhe pajisje të ndryshme ushtarake për forcat e armatosura të Gjermanisë. Vendi u angazhua gjithashtu për të përmbushur objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen, duke shënuar një rritje të konsiderueshme nga vitet e mëparshme kur Gjermania u kritikua për investime të pamjaftueshme ushtarake.

TRT Balkan / agjencitë