Numri i të vdekurve nga tërmetet që goditën Japoninë qendrore në ditën e Vitit të Ri është rritur në mbi 161, raportoi transmetuesi publik NHK.
Zyrtarët njoftuan se gjithashtu 103 persona konsiderohen të zhdukur në tërmetin që ka goditur vendin.
Nga ana tjetër, përderisa vazhdojnë reshjet e borës në zonat ku ka goditur tërmeti, zyrtarët kanë paralajmëruar për ndërtesat e dëmtuara.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë u bëri thirrje njerëzve të jenë vigjilentë për ndërprerjet në sistemet e transportit, akumulimin e borës në linjat e energjisë dhe pemët, si dhe rreziqe të tjera të mundshme.
Më 1 janar, një tërmet i fortë me magnitudë 7,6 goditi provincën Ishikawa në Detin e Japonisë, duke shkatërruar disa ndërtesa dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në rrugët në rajon, pasuar nga dridhje të tjera.
Rreth 33.000 njerëz janë evakuuar në rreth 370 strehimore në Ishikawa, e cila është përballur me humbjen më të madhe njerëzore dhe dëmtimin e infrastrukturës.