TIKA ofron ndihmë për Bangladeshin e goditur nga përmbytjet /          Foto: AA

Agjencia shtetërore turke e ndihmës shpërndau të hënën paketa ndihme për 3.000 familje në Bangladesh, ndërsa vendi i Azisë Jugore po përballet me përmbytjet e mëdha.

Paketat e ndihmës përfshinin artikuj ushqimorë thelbësorë, tableta për pastrimin e ujit dhe komplete higjienike, tha në një deklaratë Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Familjet në qytetet e prekura nga përmbytjet Feni, Lakshmipur dhe Noakhali morën pakot, të shpërndara me ndihmën e autoriteteve lokale.

TIKA dërgoi gjithashtu një klinikë të lëvizshme, e cila pritet të qëndrojë në rajon për të paktën një muaj tjetër për të trajtuar rrezikun e sëmundjeve infektive dhe traumave pas katastrofës.

Numri i të vdekurve në Bangladesh nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet pasuese të shkaktuara nga vërshimet e lumenjve vazhdon të rritet, me raportet e mediave për 59 vdekje deri të shtunën vonë.

Shirat e musonit kanë shkaktuar kërdi në gjithë vendin për gati dy javë, duke ndikuar rëndë tek miliona njerëzish.

Sipas autoriteteve, përmbytjet kanë prekur rreth 5,5 milionë njerëz në 11 rrethe, shumica e të cilëve jetojnë pranë kufirit me Indinë.

AA