Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidenti rus Vladimir Putin do të duhet të ulen së bashku në tryezën e bisedimeve, tha presidenti i ShBA-së, Donald Trump.
“Unë mendoj se presidenti Putin dhe presidenti Zelenskyy do të duhet të takohen së bashku, sepse e dini çfarë? Ne duam të ndalojmë vrasjen e miliona njerëzve”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Ushtarët po vriten me mijëra në javë, mijëra ushtarë në javë. Ndërsa flasim, ata po vriten. Kjo është arsyeja pse unë dua të shoh një armëpushim. Dhe unë dua të arrij marrëveshjen. Mendoj se kemi një shans për ta arritur marrëveshjen. Më duhej të sigurohesha që Rusia donte ta bënte atë. Është një luftë që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë", shtoi ai.
I pyetur nga një gazetar në lidhje me marrëveshjen e propozuar sipas së cilës ShBA-ja do të merrte një pjesë të të drejtave të minerale të Ukrainës në këmbim të mbështetjes ushtarake, Trump tha: “Mendoj se jemi shumë afër”.
“Ata ndihen mirë për këtë dhe është domethënëse. Është një punë e madhe, por ata e duan atë, dhe kjo na mban në vendin e tyre, dhe ata janë shumë të lumtur për këtë, por ne i marrim prapa paratë tona. Kjo duhet të ishte nënshkruar shumë kohë përpara se të hynim”, tha Trump.
Trump më tej mohoi një raportim nga gazeta franceze “Le Point” se ai do të vizitojë Moskën në maj.