Trump thotë se nuk mund të garantojë se armëpushimi në Gaza do të zbatohet                               Foto: AA

Një ditë para se të presë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ai nuk mund të garantojë se do të mbajë armëpushimi në Rripin e Gazës.

Trump gazetarëve në Zyrën Ovale u tha se ai nuk ka “asnjë garanci” se armëpushimi do të mbetet në fuqi.

“Kam parë njerëz të brutalizuar. Askush nuk ka parë ndonjëherë diçka të tillë. Jo, nuk kam asnjë garanci se paqja do të mbajë”, tha Trump.

Trump gjatë ditës së nesërme do të presë Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, në atë që do të shënojë vizitën e parë zyrtare të një lideri të huaj në Shtëpinë e Bardhë që kur ai mori detyrën muajin e kaluar.

Para nisjes së tij për në ShBA, siç raportojnë mediat izraelite, Netanyahu tha se vonoi dërgimin e ekipit të tij negociues në Katar për bisedimet e vendosura për ditën e sotme mbi fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës deri në takimin e tij me Trumpin.

Faza e parë në vazhdim e marrëveshjes përfshin një armëpushim 6-javor, në të cilin valë të njëpasnjëshme të të burgosurve lirohen nga Izraeli dhe Hamasi derisa Izraeli tërheq forcat e tij nga zonat e populluara të Gazës.

Sipas kushteve të armëpushimit, faza e parë mund të zgjatet për aq kohë sa palët vazhdojnë negociatat e tyre për arritjen e fazës së dytë të marrëveshjes, e cila përfshin lirimin e mëtejshëm të pengjeve, duke përfshirë ushtarët meshkuj izraelitë. Të gjitha forcat e mbetura izraelite pritet të tërhiqen nga Gaza gjatë fazës së dytë dhe armëpushimi i përkohshëm do të bëhet i përhershëm.

Fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë të paktën 47 mijë palestinezë në Gaza dhe e ka lënë territorin në gërmadha mes zhvendosjeve masive dhe mungesës së ndihmës humanitare shumë të nevojshme.

I pyetur nëse do të mbështesë aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, Trump e la derën e hapur për propozimin.

“Epo, nuk do të flas për këtë. Sigurisht që është një vend i vogël për sa i përket tokës. Në fakt, është një pjesë mjaft e vogël toke dhe është e mahnitshme që ata kanë qenë në gjendje ta bëjnë atë që kanë mundur ta bëjnë. Kur mendoni për këtë, është një fuqi e mirë e trurit të zgjuar, por është një pjesë shumë e vogël toke, nuk ka dyshim për të”, tha ai.

TRT Balkan / agjencitë