Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka biseduar me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, dhe do të zhvillojë një tjetër bisedë më vonë gjatë ditës, derisa tensionet po rriten mbi çështjet tregtare dhe tarifat midis dy vendeve.
Në një postim në platformën ‘Truth Social’, Trump përmendi kufizimet tregtare të Kanadasë dhe i lidhi diskutimet me Trudeaun me çështjen më të gjerë të trafikut të drogës në të gjithë Amerikën e Veriut.
“Kanadaja as nuk i lejon bankat amerikane të hapen apo të bëjnë biznes atje. Për çfarë bëhet fjalë? Shumë gjëra të tilla, por është gjithashtu një luftë e drogës dhe qindra mijëra njerëz kanë vdekur në ShBA nga droga që derdhet nëpër kufijtë e Meksikës dhe Kanadasë”, shkroi Trump.
“Sapo fola me Justin Trudeau. Do të flas përsëri me të në orën 15:00”, shtoi ai.
Biseda vjen në mes të presionit së përtërirë të Trumpit për masa tregtare kundër partnerëve amerikanë. Gjatë fundjavës, ai njoftoi tarifa të reja që shënjestrojnë Kanadanë, Meksikën dhe Bashkimin Evropian (BE), duke përmendur atë që ai e quajti çekuilibër të padrejtë tregtar.
Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen 25 për qind të tarifave për importet nga Kanadaja dhe Meksika, që do të hyjë në fuqi nesër, duke vendosur gjithashtu një tarifë prej 10 për qind për mallrat kineze.
Dje, Trudeau njoftoi se Kanadaja u është përgjigjur tarifave të reja të Trumpit me masa hakmarrëse, duke vendosur 25 për qind tarifa ndaj “mallrave amerikane me vlerë prej 155 miliardë dollarësh”.
Duke folur me gazetarët në bazën e përbashkët ‘Andrews’, Trump dje kritikoi Kanadanë për kufizimet e eksporteve të ShBA-së.
“Ka qenë një rrugë e njëanshme… Ne subvencionojmë Kanadanë me rreth 200 miliardë dollarë në vit dhe për çfarë? Ne nuk marrim asgjë jashtë saj”, tha Trump.
"Ata duhet të balancojnë tregtinë e tyre, numër një. Ata duhet të ndalojnë njerëzit të derdhen në vendin tonë dhe ne e kemi ndaluar atë. Ata nuk e kanë ndaluar atë. Ata duhet të ndalojnë derdhjen e njerëzve dhe ne duhet të ndalojmë fentanilin. Dhe, kjo përfshin Kinën", tha ai.