Kryetarja e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen     Foto: AA

Komisioni Evropian ka shprehur mendim për t'i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e "vendit kandidat", të cilët kanë aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për media në Bruksel, ka shpallur opinionin e Komisionit për aplikimet për kandidaturë të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Sipas saj, mendimi rreth statusit të "vendit kandidat" është dhënë në bazë të kritereve të Kopenhagut dhe "të meritës", duke rikujtuar se këto vende kanë para tyre shumë reforma që duhet t'i realizojnë.

Duke folur rreth Ukrainës, ajo theksoi reformat në fushat e shtetit të së drejtës, gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, "oligarkizimit" në vend dhe të drejtat themelore.
"Ukraina meriton perspektivën e BE-së, të vendit kandidat. Janë bërë shumë punë, por gjithashtu ka shumë për të bërë", u shpreh ajo.
Von der Leyen rikujtoi se Ukraina ka filluar të përparojë në rrugëtimin e kandidaturës në BE që para luftës, duke shtuar se vendi tashmë ka zbatuar rreth 70 për qind të "acquis" të BE-së dhe është në përputhje me standardet dhe vlerat evropiane.

Komisioni kërkoi që edhe Moldavisë t'i jepet statusi i kandidatit

Von der Leyen, kërkoi që edhe Moldavisë t'i jepet statusi i "vendit kandidat" ashtu sikurse Ukrainës.

Ajo tha se Moldavia ka shumë për të bërë në fushat si ekonomia dhe administrata publike, dhe se vendi në të kaluarën e afërm ka hedhur hapa të rëndësishme për reforma, por në të ardhmen duhet të realizojë një sërë reformash.

"Nëse marrim parasysh se liderët e vendit po ecin në këtë drejtim, besojmë se Moldavia posedon potencial që përmbush kërkesat", tha shefja e Komisionit Evropian.

Mendimi rreth Gjeorgjisë nuk është që t'i jepet statusi kandidat

Mendimi i Komisionit për aplikimin për kandidaturën e Gjeorgjisë ishte ndryshe nga ajo ndaj Ukrainës dhe Moldavisë.

Von der Leyen, e cila donte që Gjeorgjisë t'i jepej një perspektivë të BE-së, rekomandoi që vlerësimi i statusit të "vendit kandidat" të këtij vendi të bëhej më vonë.

"Vendi tani duhet të bashkohet politikisht për të përcaktuar një rrugë përfundimtare për reformat strukturore dhe rrugën drejt BE-së", theksoi ajo.

Liderët e BE-së do të vlerësojnë javën e ardhshme

Opinioni i Komisionit Evropian do t'i paraqitet Këshillit të BE-së, i përbërë nga shtetet anëtare, në Samitin e Liderëve të BE-së që do të mbahet më 23-24 qershor. Të gjitha shtetet anëtare do të duhet të miratojnë në mënyrë që të jepet statusi i vendit kandidat.

Ukraina paraqiti kërkesën e saj për kandidaturë në BE më 28 shkurt 2022, ndërsa Moldavia dhe Gjeorgjia më 3 mars 2022. Këshilli Evropian e kishte ftuar Komisionin Evropian të paraqiste opinionin e tij më 7 mars.

Statusi i kandidatit është hapi i parë në procesin afatgjatë të anëtarësimit të një vendi në BE. Pasi një vendi i jepet statusi i kandidatit, negociatat për anëtarësim fillojnë në fazat vijuese, me kusht që të plotësohen kushtet.

AA