Ukraina sulmoi Urën e Krimesë, regjistrohen viktima dhe të plagosur.     /Foto: Reuters

Të paktën dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos në orët e para të 17 korrikut nga shpërthimi që ndodhi në Urën e Kerçit, një kalim kyç që lidh Rusinë dhe Gadishullin e Krimesë që ajo e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.

“Këtë mëngjes, të gjithë filluam me informacione për emergjencën që ndodhi në urën e Krimesë. Çfarë informacioni është në dispozicion për momentin: një vajzë u plagos. Gjëja më e vështirë është se prindërit e saj vdiqën", tha guvernatori i Belgorodit Vyacheslav Gladkov në një deklaratë në Telegram.

Vajza është nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe do të transportohet menjëherë në rajonin e Belgorodit sapo mjekët ta lejojnë, shtoi Gladkov.

Në deklaratat e mëparshme, Sergey Aksyonov, kreu i Krimesë i instaluar nga Rusia, njoftoi në Telegram se trafiku në Urën e Kerçit ishte ndalur dhe se një "emergjencë" kishte ndodhur në zonë.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale, u kërkoj banorëve dhe mysafirëve të gadishullit të përmbahen nga udhëtimi përmes urës së Krimesë dhe, për arsye sigurie, të zgjedhin një rrugë alternative tokësore përmes rajoneve të reja”, tha Aksyonov.

Në një deklaratë të veçantë, Vlladimir Konstantinov, kreu i Këshillit Shtetëror prorus të Krimesë, pohoi në Telegram se Ukraina "sulmoi" Urën e Kerçit.

Zyrtarët ukrainas nuk i janë përgjigjur ende pretendimit dhe verifikimi i pavarur i pretendimeve të Rusisë është i vështirë për shkak të luftës në vazhdim.

TRT Balkan / agjencitë