Ukrainë, 4 të vrarë në sulmet ajrore ruse në infrastrukturën energjetike         / Foto: AA

Ukraina njoftoi të hënën se të paktën katër persona u vranë pasi 15 rajone u sulmuan nga mjetet ajrore ruse që synonin infrastrukturën energjetike të vendit.

"15 rajone u prekën sot si rezultat i sulmit masiv rus. Armiku përdori lloje të ndryshme armësh... Ka të plagosur dhe të vdekur," deklaroi kryeministri ukrainas Denys Shmyhal në Telegram.

Shmyhal tha se lloje të ndryshme të dronëve dhe raketave janë përdorur nga Rusia, duke shtuar se operatori i rrjetit elektrik të Ukrainës Ukrenergo është detyruar të prezantojë ndërprerje emergjente të energjisë për të stabilizuar sistemin energjetik të vendit.

Nisur nga kjo ngjarje, kryeministri ukrainas u bëri thirrje partnerëve të saj që të lejojnë Ukrainën të përdorë armë me rreze të gjatë kundër objektivave ushtarake ruse brenda Rusisë.

Nga autoritetet lokale dhe mediat kanë dalë raportime që nga fillimi i së hënës për shpërthime të shkaktuara nga një sulm rus mbi rajone të shumta të Ukrainës, duke përfshirë kryeqytetin e saj Kiev.

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan lëvizjen e një grupi të madh dronësh rusë nëpër rajone të shumta, si dhe aktivitetin e 11 bombarduesve strategjikë Tu-22MS.

Alarmet për sulm ajror u lëshuan në të gjithë vendin, me autoritetet lokale dhe mediat që raportuan se shpërthimet u shkaktuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore që shkatërronin dronët rusë.

Kompania private e energjisë ukrainase DTEK njoftoi se operatori i rrjetit të energjisë, Ukrenergo, ka lëshuar një urdhër për zbatimin e një ndërprerjeje emergjente.

Viktimat

Më tej, kryebashkiaku Vitali Klitschko raportoi në Telegram se ndërprerjet e energjisë elektrike janë regjistruar në disa rrethe të kryeqytetit dhe se ka pasur edhe ndërprerje në furnizimin me ujë të shkaktuar nga ndërprerja e energjisë elektrike.

Serhiy Popko, kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, tha se nuk u raportuan dëme apo viktima në kryeqytet që nga ora 12:17 koha lokale (0917 GMT), dhe se alarmi për sulm ajror ka vazhduar për më shumë se gjashtë orë.

Kryetari i bashkisë së Lutsk, Ihor Polishchuk, shkroi në Telegram se një person vdiq dhe pesë të tjerë u plagosën në qytetin veriperëndimor të Ukrainës për shkak të sulmeve ajrore.

Në rajonin e Dnipropetrovsk, guvernatori Serhii Lysak tha në Telegram se një burrë 69-vjeçar vdiq gjatë sulmit masiv.

Guvernatori i Zaporizhzhia, Ivan Fedorov raportoi se një person u vra dhe një tjetër u plagos për shkak të një sulmi rakete mbi rajon.

Ndërkohë, Guvernatori i Zhytomyr Vitaliy Bunechko tha se një grua u vra në rajonin veriperëndimor, ku tha se ndërtesat e banimit dhe infrastruktura kritike ishin dëmtuar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pretendoi në X se më shumë se 100 dronë dhe raketa u lëshuan nga Rusia gjatë sulmit, të cilin ai e përshkroi si "një nga më të mëdhenjtë".

Zelenskyy vazhdoi duke thënë se ka një "dëm të konsiderueshëm" në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke u bërë thirrje partnerëve perëndimorë të heqin kufizimet në përdorimin e aftësive me rreze të gjatë.

Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se nisi një sulm në mëngjes ndaj “objekteve kritike të infrastrukturës energjetike që mbështesin funksionimin e kompleksit ushtarak-industrial të Ukrainës”.

“Të gjitha objektivat e përcaktuara u goditën”, thuhet më tej në deklaratë.

TRT Balkan / agjencitë