Drejtoresha Ekzekutive e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Catharine Russell, bëri thirrje sot për t'u dhënë fund vrasjeve të pakuptimta të fëmijëve pas një sulmi ajror izraelit mbi tendat që strehonin palestinezët e zhvendosur në Rafah në Rripin jugor të Gazës.
“Imazhet e fëmijëve dhe familjeve të djegura nga tendat e bombarduara në Rafah na tronditin të gjithëve. Vrasja e fëmijëve të strehuar në tenda të improvizuara është e pandërgjegjshme”, ka shkruar Russell në rrjetin social X.
Duke paralajmëruar seriozitetin e situatës, drejtoresha e UNICEF-it tha se bota është dëshmitare e tragjedisë në Rripin e Gazës për më shumë se shtatë muaj.
Russell bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin pa kushte të të gjitha pengjeve dhe fundin e vrasjeve të pakuptimta të fëmijëve.
Të paktën 40 persona u vranë dhe të tjerë u plagosën në sulmin e djeshëm ajror izraelit mbi vendbanimet dhe kampit të personave të zhvendosur në Rafah.
Sulmi ndodhi pranë bazës logjistike të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNRWA) në Tal al-Sultan.
Izraeli ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë në Rripin e Gazës në sulmet e vazhdueshme që filluan më 7 tetor të vitit të kaluar, ku shumica e viktimave janë fëmijë dhe gra.