Ushtria izraelite njoftoi të premten për zgjerimin e operacioneve ushtarake në rajonin Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Në komunikatën thuhej: “Ushtria izraelite po zgjeron aktivitetet e saj në zonën Khan Younis”.
“Forcat filluan një sulm dje (të enjten) në mbrëmje për të shkatërruar infrastrukturën e armikut në qytetin Khan Younis”, shtoi në komunikatë ushtria izraelite.
Mes të tjerash, aty përmendet "përdorimi i avionëve luftarakë, dronëve dhe tankeve në sulmet ndaj militantëve palestinezë".
Radioja e ushtrisë izraelite foli edhe për "zgjerim të manovrave ushtarake në Khan Younis, ku 7 brigada po operojnë pas përfshirjes së brigadës së parashutistëve".
Pak ditë më parë, avionët izraelitë lëshuan fletushka mbi Khan Younis, duke u kërkuar banorëve të Bllokut 112 pranë Kompleksit Mjekësor Nasser, spitali i dytë më i madh në Rripin e Gazës dhe bllokut 64 në lagjen Qizan Abu Rashun që të "evakuohen menjëherë".
Në fletushkat e ushtrisë izraelite shkruante se “zona konsiderohet një zonë e rrezikshme e operacioneve luftarake. Për sigurinë tuaj, ju duhet të evakuoheni menjëherë dhe të shkoni në lagjet Shaboura, Zohor dhe Tal al-Sultan në qytetin e Rafah (Jug)”.