Ora policore, ndërprerja e internetit dhe patrullimet ushtarake kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme për të frenuar trazirat që morën të paktën 187 jetë në gjithë vendin lidhur me reformat në vendet e punës në sektorin publik.
Në një urdhër të ri, qeveria zgjati orën policore deri të enjten, e cila u vendos të premten në mbrëmje së bashku me vendosjen ushtarake.
Në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, qeveria mbrëmë lëshoi një njoftim duke ulur kuotën në 7 për qind nga 56 për qind në vendet e punës në sektorin publik.
Studentët protestues, të cilët dhanë një ultimatum 48-orësh për të sjellë normalitetin, thanë se do t’i përgjigjen qeverisë pasi të rivendoset normaliteti.
Protestat e studentëve u kthyen në të dhunshme pasi policia dhe persona të partisë në pushtet Liga Awami dyshohet se hapën zjarr ndaj protestuesve javën e kaluar.
Inspektori i pikës policore të Spitalit të Kolegjit Mjekësor në Dhaka, Md Bachchu Mia, tha për Anadolu se mesatarisht 70-80 studentë dhe njerëz pranohen në spital çdo ditë që nga e marta e kaluar.
Të paktën 187 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën që nga e marta e javës së kaluar. Prej tyre, raportoi gazeta ‘Prothom Alo’, 13 vdiqën në spitale dje.
Ndërkohë, drejtues të biznesit, gjatë një takimi me kryeministren Sheikh Hasina, ndërprerjen e plotë të shërbimit të internetit në vazhdim e quajtën “gjakderdhje” të biznesit.
Ata i dhanë mbështetjen e tyre kryeministres dhe kërkuan rivendosjen e hershme të shërbimeve digjitale.
Megjithatë, kryeministrja tha se ora policore dhe ndërprerjet do të vazhdojnë derisa situata të përmirësohet.
Me akuzat për dhunë, mbi 2 mijë persona, kryesisht nga Partia Nacionaliste e Bangladeshit, u arrestuan në gjithë vendin.
Protestat u rritën në Bangladesh që nga java e kaluar kundër sistemit të kuotave, me qeverinë që mbylli institucionet arsimore në përgjigje të trazirave.
Rreth 30 për qind e kuotës prej 56 për qind në vendet e punës në sektorin publik u rezervuan për të afërmit e veteranëve të luftës së pavarësisë.
Megjithatë, Gjykata e Larta të dielën urdhëroi qeverinë të reduktojë kuotën në 7 për qind, duke përfshirë 5 për qind për pasardhësit e veteranëve të luftës.
Për shkak të ndërprerjes së internetit që nga e enjtja e kaluar, fluksi i informacionit nga Bangladeshi ka qenë minimal, ndërsa shumica e mediave lokale nuk kanë mundur të përditësojnë faqet e tyre të internetit.
Shërbimet e internetit pritet të rikthehen mbrëmjen e sotme.