Kurset onlajn janë mënyrë e përshtatshme për të mësuar diçka të re ose për të thelluar njohuritë në një fushë të caktuar. Me teknologjinë në dispozicion, qasja në resurse edukative nga komforti i shtëpisë është bërë më e lehtë se kurdo. Mësimi i ndonjë gjuhe të re, zgjerimi i kualifikimeve profesionale ose thjesht mësimi i ndonjë shkathtësie për hobi janë motivet e përdorimit të kurseve onlajn.
Një prej dobive të kurseve onlajn është fleksibiliteti që ofrojnë. Secili mund të marrë pjesë në orë mësimi sipas orarit të vet, duke lehtësuar të gjeni kohë për arsimim në përditshmërinë shumë të zënë.
Rënie e interesit për kurse onlajn në BE
Popullariteti i kurseve onlajn u rrit sidomos gjatë pandemisë së Covid-19, kur njerëzit inkurajoheshin të rrallojnë kontaktet sociale. Megjithatë, pas lehtësimit të kufizimeve sociale, popullariteti i tyre po bie. Kështu tregon një hulumtim i Eurostat për vitin 2022.
Gjatë vitit 2022, 26% e njerëzve nga mosha 16 deri në moshën 74-vjeçare në BE kanë marrë pjesë në ndonjë kurs onlajn ose kanë shfrytëzuar material onlajn për mësim. Kjo është një rënie prej 2 pikë përqindje në krahasim me vitin paraprak, pasi në vitin 2021 ky numër ishte 28%.
Mbi 40% e skandinavëve shfrytëzojnë kurset onlajn
Nga vendet pjesëmarrëse në hulumtim, Finlanda ka përqindjen më të lartë të popullsisë që shfrytëzon kurset onlajn si mënyrë edukimi joformal. Çdo i dyti finlandez (50.3%) ndjek ndonjë kurs onlajn për të zgjeruar njohuritë ose për të mësuar ndonjë shkathtësi të re.
Finlanda ndiqet nga Norvegjia (43%), Spanja (41.5%), Suedia (40%), Holanda (39.7%), Danimarka (38.4%) dhe të tjera.
Sllovenia përfaqëson Ballkanin me një prej përqindjeve më të larta në BE (34.1%), ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian si tërësi.
Vendet e tjera të Ballkanit janë në fund të listës. Në Kroaci, vetëm 18.8% e qytetarëve mësojnë diçka onlajn. Ndërsa Bullgaria (11.1%) dhe Rumania (7.8%) kanë përqindjen më të ulët në nivel evropian.