Veturat mbeten ende mjeti dominues i transportit në të gjitha vendet e BE-së krahasuar me udhëtimin me tren, autobus, aeroplan ose anije, sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane të Statistikave - Eurostat, të publikuara me rastin e “Javës Evropiane të Lëvizshmërisë”, e cila shënohet çdo vit nga data 16 deri më 22 shtator dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për lëvizshmërinë e qëndrueshme urbane.
Sipas të dhënave të Eurostatit, 79,7 për qind e gjithë transportit të pasagjerëve në BE, në vitin 2021 bëhej me vetura, 7,3 për qind me aeroplanë, 7,1 për qind me autobusë, tramvaje ose trolejbusë, 5,6 për qind me trena dhe vetëm 0,3 për qind për anije.
Krahasuar me vitin 2011, përdorimi i automobilave si mjet transporti në vitin 2021 shënoi një rritje prej 6,6 pikë përqindje nga pesha e atëhershme prej 73,1 për qind. Nga ana tjetër, përdorimi i mjeteve publike të transportit, si trenat, autobusët, tramvajet dhe trolejbusët shënoi një rënie prej 1,9 pikë përqindje nga 9,0 në 7,1 për qind dhe të trenave me një pikë përqindje nga 6,6 në 5,6 për qind.
Për sa i përket peshës së transportit ajror të pasagjerëve, ajo është ulur me 3,6 pikë përqindjeje nga 10,9 për qind në vitin 2011 në 7,3 për qind në vitin 2021.
Shikuar sipas vendeve, në vitin 2021 pesha e automobilave në transportin total të pasagjerëve ishte më e larta në Lituani me 91,7 për qind, përpara Holandës me 85,4 dhe Finlandës me 85,2 për qind.
Autobusët, tramvajet dhe trolejbusët kanë peshën më të madhe në transportin total të Maltës me 13,3 për qind, përpara Hungarisë me 12,8 dhe Irlandës me 12,4 për qind.
Më së shumti me tren udhëtuan austriakët, në vendin e të cilëve pesha e transportit hekurudhor në total ishte 8,6 për qind, pasuar nga Franca me 8,3 dhe Holanda me 8,0 për qind.
Kroacia është kampione e qartë në peshën e transportit ajror në totalin e transportit të pasagjerëve me 25,4 për qind, shumë përpara Bullgarisë me 16,3 dhe Spanjës me 13,1 për qind.
Kur bëhet fjalë për transportin detar, Kroacia është gjithashtu lider këtu me një përqindje prej 2,7 për qind, përpara një vendi tjetër ballkanik, Greqisë, me 1,6 dhe Estonisë me 1,5 për qind.