Parlamenti Evropian gjatë ditës së sotme ka miratuar raportet për Kosovën dhe Serbinë. Në këtë raport theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Deputetja gjermane, Viola Von Cramon e cila ka përgatitur raportin për Kosovën, ka deklaruar se përkrahin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por jo edhe në Bashkimin Evropian. Mes tjerash, ajo ka theksuar se mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon tha se ky raport është i fuqishëm dhe gjithëpërfshirës me pika fondamentale.
“Përkrahim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por kemi bërë një dallim të qartë me aplikimin për BE. Kur kemi thënë se nuk është kohë e duhur për shkak të çështjes së mosnjohjes, që do të rriste pritjet lokale që do të duhej ta menaxhojmë më vonë. Po ashtu, e kam thënë këtë edhe në Kosovë kur isha atje në herën e fundit”, ka deklaruar raportuesja për Kosovën.
Ajo pati fjalë të mira për qeverisjen aktuale, ku tha se është nisur një luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Njëkohësisht në këtë raport përmendet edhe nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Në tekstin e raportit, po ashtu theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që bazohet në njohjen reciproke, si parakusht për qasjen në BE të dyja vendeve. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka qenë fort sipër në agjendën dhe marrëveshjen që janë arritur në të kaluarën. Tash po vihen në pyetje, që po tregon se nuk ka angazhim serioz dhe është kritikuar shumë nga individë, deputetë, po ashtu edhe në raportin tonë”, ka shtuar ajo.
Ajo shtoi se në raport thuhet se do t’i jepet përkrahje e plot të dërguarit special për dialog, Miroslav Lajçak.
Urgjentisht të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën
Deputetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar një raport ku përgëzojnë stabilitetin politik dhe përkushtimin e fortë evropian në Kosovë si dhe u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), që urgjentisht të miratojnë një regjim pa viza për qytetarët kosovarë.
Raporti është miratuar me 469 vota 'pro', 96 'kundër' dhe 72 abstenime.