Vriten 3 palestinezë nga sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor / Photo: AA

Të paktën 3 palestinezë u vranë në dy sulme të veçanta nga ushtarët izraelitë në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar. Guvernatori i Jeninit, Kemal Abu er-Rabb, tha se ushtarët izraelitë rrethuan dhe bombarduan një shtëpi në Kabatiya të Jeninit mëngjesin e sotëm.

Guvernatori Abu er-Rabb tha se 2 palestinezë u vranë në sulmin e ushtarëve izraelitë. Ai theksoi se infrastruktura dhe rrugët e qytetit u shkatërruan gjatë bastisjes. Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, forcat speciale izraelite rrethuan një shtëpi në jug të Jeninit.

Një palestinez ka humbur jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë. Thuhet se shtëpia e rrethuar është bombarduar pas mbërritjes së përforcimeve. Nga ana tjetër, ushtarët izraelitë bastisën rajonet e Betlehemit, Khalilit, Nablusit dhe Luginës së Jordanit dhe kontrolluan disa shtëpi.

Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli filloi sulmet në Rripin e Gazës, ka pasur rritje të arrestimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.

TRT Balkan / agjencitë