Vritet kameramani i pavarur i AA-së në sulmin izraelit në Gaza /Foto: AA

Kameramani i pavarur i AA-së në Gaza, Saed Abu Nabhan, u vra në një sulm të ushtrisë izraelite me armë me tytë të gjatë.

Ushtria izraelite rrethoi dhe qëlloi një zonë ku ndodheshin një numër i madh gazetarësh në kampin e refugjatëve Al-Jadeed në rajonin Nuseirat të pjesës qendrore të Rripit të Gazës.

Në pamjet e marra nga vendi i ngjarjes, shihet se si punonjësit humanitarë nxjerrin me shpejtësi një të plagosur nga një shtëpi, ndërsa Abu Nahban, i cili ishte afër dhe vrapoi duke ndjekur gjithë ngjarjen me pajisjet e tij, u qëllua nga ana e kundërt, me siguri me armë me tytë të gjatë.

Abu Nahban ra përtokë dhe mbeti i palëvizur për disa momente, ndërsa njerëzit përreth nuk guxuan t'i afrohen nga frika se mund të ishin objektivi i të shtënave të ushtrisë izraelite.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA gjithashtu njoftoi në një raport lidhur me këtë sulm se gazetari Saed Abu Nabhan u vra.

25-vjeçari Saed Abu Nabhan ishte i martuar dhe babai i një fëmije.

Nga ana tjetër, raportohet se të paktën një person ka humbur jetën nga bombardimet e avionëve luftarakë izraelitë në një shtëpi në lagjen Shuja’iyya në Gaza, ndërsa të vdekurit dhe të plagosurit janë transferuar në Spitalin Baptist Al-Ahli.

Me vrasjen e Abu Nabhanit, numri i gazetarëve të vrarë në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 203. Përpos kësaj, sipas raportimeve, 399 gazetarë janë plagosur, ndërsa 43 të tjerë janë kapur.

Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, që nga 7 tetori 2023, janë vrarë mbi 46 mijë palestinezë, rreth 17.841 prej të cilëve janë fëmijë dhe 12.298 janë gra, ndërsa janë plagosur 109.378 të tjerë.

TRT Balkan / agjencitë