Kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha të shtunën se luftëtarët e tij ishin rreth 200 kilometra nga kryeqyteti rus Moska kur vendosën të ktheheshin për të shmangur gjakderdhjen.
Nëpërmjet një njoftimi në Telegram, Prigozhin tha se autoritetet ruse donin të shpërndanin grupin e tij dhe për shkak të kësaj ata “u nisën për në Marshimin e Drejtësisë”.
“Ne u nisëm më 23 qershor... Brenda një dite përshkonim një distancë të tillë saqë ishte vetëm 200 km deri në Moskë, gjatë kësaj kohe nuk kemi derdhur asnjë pikë gjaku të luftëtarëve tanë.
“Tani ka ardhur momenti kur mund të derdhet gjak, prandaj, duke kuptuar gjithë përgjegjësinë për faktin se gjaku rus do të derdhet në njërën nga anët, ne i kthejmë kolonat tona dhe kthehemi në kampet fushore sipas planit“, tha ai në një mesazh audio.
Në anën tjetër, presidenti bjellorus Aleksandër Llukashenko tha se ai kishte qenë në bisedime me Prigozhinin gjatë gjithë ditës, gjë që çoi në marrëveshjen e Prigozhinit për depërshkallëzimin.
“Këtë mëngjes, presidenti rus Vlladimir Putin e informoi homologun e tij bjellorus për situatën në jug të Rusisë me kompaninë private ushtarake Wagner. Krerët e shteteve ranë dakord për veprime të përbashkëta.
“Si vazhdimësi e marrëveshjeve, Presidenti i Bjellorusisë pasi sqaroi më tej situatën nëpërmjet kanaleve të tij, në koordinim me presidentin e Rusisë, zhvilloi bisedime me kreun e Wagner PMC (kompani ushtarake private), Yevgeny Prigozhin", tha shërbimi për shtyp i Llukashenkos në një komunikatë.
Si rezultat, palët arritën në “një marrëveshje për papranueshmërinë e kryerjes së një masakre të përgjakshme në territorin e Rusisë”.
“Yevgeny Prigozhin pranoi propozimin e Presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Llukashenko për të ndaluar lëvizjen e njerëzve të armatosur të kompanisë Wagner në territorin e Rusisë dhe hapa të mëtejshëm për uljen e tensionit”, thuhet në komunikatë.
Mes të tjerash, në këtë komunikatthuhet se “ekziston një zgjidhje absolutisht e dobishme dhe e pranueshme për situatën në tryezë, me garanci sigurie për luftëtarët e Wagner PMC (kompani ushtarake private).