Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se vazhdojnë ta përgatisin ushtrinë për vitin e ardhshëm.
Zelenskyy iu drejtua popullit me një video-mesazh që ndau në orët e natës nga llogaria e tij në Telegram dhe bëri vlerësime rreth luftës që vazhdon në vendin e tij kundër Rusisë.
Ai tha se sot është takuar me përfaqësues të forcave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe se kanë diskutuar për situatën e fundit në front.
"Në takim biseduam mbi përgatitjet e ushtrisë për vitin e ardhshëm. Vazhdojmë të përgatisim forcat e mbrojtjes dhe sigurisë së Ukrainës për vitin e ardhshëm. Ky duhet të jetë një vit përcaktues (vendimtar)", tha Zelenskyy.
Sipas tij, ushtria ukrainase duhet të jetë e gatshme në çdo stinë. "Ne e dimë se cilat janë rreziqet në dimër, çfarë duhet të bëjmë në pranverë dhe si rrjedhojë çfarë rezultatesh duhet të tregojë i gjithë sektori i mbrojtjes dhe sigurisë", theksoi Zelenskyy.
Pasi tërhoqi vëmendjen se qëllimi i tyre është çlirimi i gjithë territorit të Ukrainës, Zelenskyy tha se në vitin 2023 do të hyjnë me këtë besim.