Në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetet sociale, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy bëri të ditur se ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov, shefin e shtabit të përgjithshëm Valerii Zaluzhnyi dhe zyrtarë të inteligjencës lidhur me avionin që u rrëzua në rajonin Belgorod.
"Diskutuam rrëzimin e avionit dhe shkëmbimin e pengjeve. Rusët po luajnë hapur me jetën e pengjeve ukrainase dhe ndjenjat e të afërmve të tyre. Duan të bëjnë presion mbi opinionin ukrainas", deklaroi Zelenskyy.
Ai bëri thirrje për fillimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me rrëzimin e avionit transportues ushtarak të llojit "İl-76" në rajonin Belgorod të Rusisë, transmeton agjencia Anadolu.
Në avionin İl-76 që u rrëzua dje në rajonin Belgorod ndodheshin 65 ushtarë ukrainas të marrë peng nga konflikti, me një ekuipazh prej 6 personash dhe 3 shoqërues, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
"Kam udhëzuar ministrinë e jashtme që të informojë komunitetin ndërkombëtar për gjetjet tona në lidhje me rrëzimin e avionit. Si Ukrainë ne insistojmë për hetimin ndërkombëtar", tha ai.
Ndër të tjera presidenti ukrainas vlerësoi se "më të rëndësishme tani janë të vërtetat".