Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, të premten paralajmëroi kundër çdo marrëveshjeje paqeje pa përfshirjen e Kievit, pasi Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ra dakord me homologun e tij rus, Vlladimir Putin, për të nisur "menjëherë" negociatat për t'i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Zelenskyy hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje paqeje të arritur në këtë takim. “Një marrëveshje paqeje nuk mund të nënshkruhet në Mynih—ne kujtojmë çfarë u nënshkrua këtu më parë,” tha ai, duke iu referuar Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938, e cila nuk e pengoi Hitlerin dhe nuk arriti ta parandalonte Luftën e Dytë Botërore.
Ai paralajmëroi kundër përpjekjeve për ta negociuar fundin e luftës pa pjesëmarrjen e Ukrainës. “Të bësh një marrëveshje pa ne ose pa Europën nuk është një ide e mirë, dhe shpresoj që Presidenti (Donald) Trump nuk e ka këtë ide,” tha Zelenskyy.
Lideri ukrainas shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij për dështimin e NATO-s për ta pranuar Ukrainën në aleancë, pavarësisht viteve të diskutimeve. “ShBA-ja kurrë nuk na ka parë në NATO; vetëm kanë folur për të. Në të vërtetë nuk na kanë dashur në NATO. Asnjëherë nuk kam dëgjuar që do të jemi në NATO, kurrë!” u shpreh ai.
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, u tha aleatëve evropianë në Bruksel të mërkurën se administrata e Trumpit e konsideron kthimin e kufijve të Ukrainës para vitit 2014 si një objektiv “të parealizueshëm”. Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Lideri ukrainas theksoi forcën ushtarake të Kievit, duke argumentuar se vendi i tij tashmë luan një rol kyç në sigurinë evropiane. “Ukraina nuk është në NATO, por ne kemi një ushtri të fortë. Ne mund të forcojmë NATO-n kudo, dhe mendoj se kjo është në interesin e të dyja palëve,” tha ai.
Zelenskyy theksoi gjithashtu nevojën për një zgjerim të konsiderueshëm ushtarak nëse Ukraina mbetet jashtë aleancës. “Nëse nuk anëtarësohemi në NATO, atëherë duhet të dyfishojmë madhësinë e ushtrisë sonë... Na duhet një ushtri me 1,5 milion ushtarë nëse nuk jemi në NATO—kjo është e vetmja garanci e vërtetë sigurie,” përfundoi ai.